Tiranë, 28 prill 2014 – Ndërsa pritet mbledhja e parë e komisionit hetimor për përfshirjen e infrastruktures ushtarake në trafikun e drogës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha sqaroi se energjitë e opozitës do të fokusohen tek zbardhja e plotë e të vërtetës. Gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar demokrat Basha theksoi se opozita nuk mund të lejojë që asetet publike të përdoren nga krimi i organizuar.

“Beteja jonë jetike për ketë çeshtje, që ngërthen as me shumë dhe as më pak por vetë sovranitetin dhe pavarësinë e qeverisjes nga krimi në përgjithësi dhe narkotrafiku në veçanti, njohu një zhvillim pozitiv javën e kaluar me vendimin për të hetuar në rrugë parlamentare rreth këtij skandali. Kjo është një fitore e opozitarimit dhe parlamentarizmit që na gjen më të vendosur se kurrë për të dhënë kontributin tonë në këtë hetim, për të bërë trasparencën e plotë të skandalit, për t’i shkuar deri në fund të vërtetës, për të çuar përpara ligjit përgjegjësit, ata që u janë bërë ortakë apo urë narkotrafikantëve, ata që kanë njollosur figurën e shtetit dhe autoritetin publik duke venë në dispozicion të krimit asete publike që zakonisht vendi i vë në dispozicion të strategjive dhe aksionevekombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare për luftën kundër krimit, por edhe ata që nuk kanë bërë punën për të cilën paguhen nga taksapaguesit shqiptarë pasi kanë marrë informacione dhe indicie të bollshme se çfarë po ndodhte”,tha ai.

Sipas kryetarit të PD komisioni hetimor i Kuvendit për përdorim të mundshëm të infrastrukturës ushtarake për trafik droge duhet t’i shkojë deri në fund të vërtetës. E ndërsa kjo çështje ka dominuar politikën e dy javëve, situate ekonomike lexohet si gjithnjë e më e rëndë nga kryetari i opozitës. 38% të ardhura më pak në tre muaj është shifra e opozitës.

“Qeveria, siç e dimë, ka parashikuar nje rritje vjetore prej 13.1% të të ardhurave totale me buxhetin e miratuar. Mbi këtë bazë dhe me shifrat e bëra publike nga Ministria e Financave dy javë me vonesë, rezulton se mbledhja e te ardhurave për  tremujorin në fjalë është rreth 38% më pak sesa pritshmëria”,- deklaroi kreu i PD-së.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/