FIER, 8 maj 2014 – Tashmë hashashi i Lazaratit trafikohet me fuçi plastike që lidhen anash trageteve, drejt Italisë. Ky fakt konfirmohet nga burime konfidenciale brenda Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”.
Mësohet se ngarkesat me hashash që nisen nga Lazarati drejt Vlorës përshkojnë itinerarin Lazarat-Gjirokastër-Tepelenë-Memaliaj-Fratar-Poçem-Vlorë e më pas lidhen nga jashtë trageteve apo anijeve për të udhëtuar drejt Italisë.
Megjithëse duket e pabesueshme, nga hetimet dhe përgjimet e policisë ka rezultuar se hashashi i Lazaratit del nga portet shqiptare dhe hyn në portet italiane nëpërmjet trageteve. Pasi lënë Tepelenën, trafikuesit nuk ndjekin autostradën Levan-Vlorë, por nëpërmjet rrugës dytësore nga Poçemi mbërrijnë në Vlorë me automjete të larta si furgonë apo fuoristrada, për shkak edhe të amortizimit të këtij aksi.
Ky segment rrugor nuk ka postblloqe policie. Malli më pas mbërrin në destinacionin e duhur në Vlorë dhe që aty shkon në Karaburun nëpërmjet gomoneve apo skafeve, ku grumbullohen ngarkesa të mëdha, 1 ton apo më shumë. Sipas burimeve nga dikasteri blu i Fierit, më pas hashashi futet në fuçi plastike me kapak hermetik. Fuçive nga jashtë u vendoset ngarkesë e rëndë për të mos qëndruar në sipërfaqen e ujit. Kur ngarkesa është gati, lidhet anash skafeve apo gomoneve dhe në orët e natës, duke shfrytëzuar errësirën, palombarët shkojnë afër trageteve të udhëtarëve apo anijeve të tjera dhe u lidhet nga jashtë atyre duke e mbajtur nën vëzhgim derisa ato të nisen drejt Italisë.
Fuçitë me drogë lidhen nga jashtë trageteve pa dijeninë e ekuipazhit (ose edhe me dijeninë e tyre). Kur trageti mbërrin në Itali, pritet nga një skaf apo gomone në distancë që të mos kuptohet e shikohet nga rojet bregdetare. Ngarkesa tërhiqet sërish gjatë natës nga pjesa e jashtme e tragetit nga palombarë të cilët e lidhin në skafe ose gomone dhe e transportojnë më tej në destinacion.
Sipas bluve të Fierit, kjo është një metodë e re e trafikimit të hashashit drejt Italisë, që kryhet kryesisht në portin e Vlorës dhe shumë pak në Durrës. Kjo metodë e re është zbuluar nga përgjimet, por edhe nëpërmjet personave të infiltruar në këto rrjete trafiku të lëndëve narkotike.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





