Ngjarja e ndodhur ditët e fundit të vitit të kaluar ku një subjekt i vogël eksportues i bimëve medicinale është kapur nga policia duke transportuar në kamion edhe lëndë narkotike në kufirin e Malit e Zi po penalizon me vonesa në kontrolle e kosto shtesë transporti edhe sipërmarrjet e ndershme, që operojnë prej 30 vitesh në sektorin e eksporteve. Kryetari i Shoqatës të Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka pohoi për Monitor se ngjarja e ndodhur prej 1 muaji po krijon shqetësime për eksportuesit të cilët operojnë prej vitesh rregullisht në treg.
Sipas tij, pas kësaj ngjarjeje nga pala e Malit të Zi është vendosur që asnjë kamion që eksporton bimë medicinale të mos kalojë kufirin pa kryer skanimin. Shqetësimet për kompanitë janë krijuar nga zvarritjet e gjata që kamionët me bimë medicinale duhen t’iu nënshtrohen skanimit në portin e Durrësit dhe më pas të vijojnë kalimin tokësor në doganën e Hanit të Hotit.
“Për eksportin tokësor të bimëve medicinale drejt shteteve të Europës shumica e sipërmarrjeve të sektorit kalojnë nëpërmjet kufirit me Malit i Zi. Ngjarja e fundvitit ka shtuar vështirësitë e punës sonë, pasi para se të kalojnë në doganën e Hanit të Hotit, fillimisht kamionët duhet të skanohen në portin e Durrësit. Mungesa e skanerëve në pikat doganore, përveç asaj të Durrësit po shton kostot e kompanive. Përveç të tjerash në doganën me Malin e Zi kompanitë e ndershme që janë në treg prej dekadash po trajtohen si trafikantë droge, duke iu hedhur gjithë mallin në tokë. Një kompani që operon prej 30 vitesh në treg asnjëherë nuk rrezikon të trafikojë lëndë narkotike. Nuk jemi kundër kontrollit të kamionëve, por jemi të shqetësuar për vonesat dhe kostot e larta që po paguajmë. P.sh është rasti i kamioni nga Elbasani që ka kryer skanerin në mëngjes në Durrës dhe për të kaluar kufirin e Malit të Zi i është thënë të presë orën 19:00 të mbrëmjes bashkë me 6 punëtorët. Operatorë të tjerë për të shmangur vonesat në pikën kufitare të Hanit të Hotit, po kalojnë kamionët nga pika kufitare e Qafë Thanës, duke paguar 500 euro më tepër për transportin”.
Kreu i Shoqatës të Bimëve Medicinale se për problematikën e krijuar ka vënë në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi përmes ambasadës shqiptare për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët që mund të jetë instalimi i një skaneri në pikën doganore me Malin e Zi.
Eksportet e bimëve medicinale dhe aromatike kanë vijuar trendin rritës edhe për 2021. Sipas të dhënave të Doganave në 2021 eksportet ishin 6% më shumë se në 2020. Eksportet në krahasim me periudhën para krizës nga pandemia në 2021 janë 19% më të larta. Për 2021 vlera e eksporteve të sektorit ishte 5,4 mld lekë./Monitor