Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Bajron Gumenin, menaxher i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, në kontejnerët e së cilës u kap drogë tre herë brenda pak kohësh në portin e Durrësit.

Gumeni u arrestua më 13 korrik në Durrës pas kapjes së 11 kg kokainë në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit”. BalkanWeb raporton se ndonëse fillimisht hetimet u kryen nga Prokuroria e Durrësit, dosja i kaloi SPAK pasi ka dyshime se trafiku i drogës është kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Akuzat u kundërshtuan nga Gumeni përmes avokatit Elton Hyseni i cili kërkoi që dosja t’i kthehet prokurorisë së Durrësit.

Në kërkim është shpallur edhe administratori i kompanisë Eduart Dauti. Në kontejnerët e “Alba Exotic Fruit” janë sekuestruar edhe dy sasi të tjera kokainë më 23 korrik dhe një tjetër 2 ditë më parë.