TIRANE, 10 prill 2013- Policia e Shtetit ka arrestuar 8 persona në disa qytete të vendit, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar për shkatërrimin e një rrjeti të trafikut të lëndëve narkotike. 

Burime zyrtare nga policia konfirmojnë se në pranga kanë rënë 8 persona, tre prej të cilëve dyshohen si krerë të organizatës që merrej kryesisht me trafikim narkotikësh në vendet e BE-së, si dhe shfrytëzim prostitucioni. 

Operacioni që vijoi njëkohësisht në disa qytete të vendit, si dhe në shtete të tjera, si Zvicër, Itali, Holandë, Gjermani, përfundoi me arrestimin e 34 personave, 8 prej të cilëve shqiptarë. 

Drejtori i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, Edmond Rizai, doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me prokurorin e krimeve të rënda Eugen Beci, të cilët sqaruan se hetimi për këtë rrjet trafiku kishte nisur në fillim të vitit 2011, ndërsa konfirmuan se aktiviteti i kësaj organizate nuk ishte zhvilluar në Shqipëri. 

Rizai bëri të ditur edhe emrat e të arrestuarve shqiptarë të cilët janë: Sokol Tafani, Besnik Lleshi, Festim Hoxha, Hygert Allko, Rezart Jaho, Brunild Ramaj, Altin Poda, si dhe Bledar Shabani.