Brenda një jave çmimet janë rritur me 30%, ndërkohë që kushtet lënë shumë për të dëshiruar

Ditët e fundit të këtij muaji po përkojnë edhe me fluksin e udhëtarëve dhe automjeteve që po mbërrijnë çdo 24 orë në port. Në periudha fluksi dalin në pah edhe problematikat me të cilat përballen qytetarët që zgjedhin të udhëtojnë me tragetet e linjave që lidhin Durrësin me portet e tjera italiane. Nëse vite më parë kushtet e këqia të terminalit të udhëtarëve ishin kryefjala e bisedave të mijëra emigrantëve që mbërrinin në këtë port, tashmë pas investimit madhor për terminalin e ri dhe hyrjen e tij në funksion vëmendja është përqendruar tek kushtet dhe shërbimi aspak i mirë që ofrojnë shumë prej trageteve. Këtij shërbimi problematik i shtohen edhe çmimet e rritura të biletave të udhëtimit. Brenda një jave çmimet janë rritur me 30%, gjë që i irriton pasagjerët.

Problematika

Pasagjerë të ndryshëm të cilët kanë zbritur nga tragetet “Ionis”, “Red Star”, “Adriatika” etj shprehen se çmimi i biletave nuk ka qenë aspak në sinkron me kushtet që kanë gjetur në tragete dhe me shërbimin e ofruar. Pjesa më e madhe e pasagjerëve që udhëtojnë  me tragetet e linjës Durrës-Bari janë tranzit për në Kosovë dhe në Maqedoni si dhe emigrantë shqiptarë që kthehen për pushime. Dyndja ka qenë e madhe, deri në 10 mijë pasagjerë në ditët e fundjavave. Për shkak të fluksit janë vënë re vonesa në nisjen prej Barit të trageteve, por edhe në mbërritjen e tyre në Durrës. Këto vonesa shkaktojnë pakënaqësi tek pasagjerët. Rasti i tragetit “Adriatika”, ku udhëtonte dhe ish-presidenti Topi, i cili u vonua për shkak të një defekti teknik është vetëm një nga rastet e shumta që irritojnë udhëtarët.

Entet klasifikuese, me standarte në ndryshme

Organet çertifikuese të anijeve siç janë “Rina”, “Dyro veritas”, “Lloyd” etj. kanë standarte në ndryshme kontrolluese ndaj anijeve dhe kompanive të lundrimit. Një prej pronarëve të kompanive të lundrimit thotë se tragetet duhet të plotësojnë 10 kushte për të marrë çertifikatën e lundrimit, por bëhen tolerime, kur kompanitë janë me tragete me pronarë grekë apo italianë. Kjo do të thotë që tolerimet nga organizmat kontrolluese janë në bazë shtetesh. Nëse shteti italian apo britanik ka kërkesa strikte, Entet klasifikuese të anijeve të lundrimit në Greqi nuk kanë të njëjtat kërkesa për krijimin e kushteve komode për transportin e pasagjerëve. Kjo ka sjellë edhe diskriminim përsa i përket kushteve që ofrohen për udhëtarët nga anije të ndryshme. Ky fakt prish rregullat e lojës midis kompanive të lundrimit dhe trageteve sepse disa mjete lundruese që ofrojnë kushte të këqia prishin imazhin e portit të Durrësit.

Emigrantët

“Biletën e preva të klasit të parë, me kabinë, por kur hymë në dhomë pamë se dyshekët ishin me sista të shqyera, dhe nuk patëm mundësi të shtriheshim e qetësoheshim. Nga Bari deri në Durrës pagova 600 franga zviceriane, për dy persona të rritur e dy fëmijët. Çmime katastrofë po të kesh parasysh edhe kushtet e kabinës! Shteti juaj duhet t’i japë zgjidhje këtij problemi, sepse ne nuk vijmë më nga kjo rrugë dhe me këto tragete që kanë dyfish çmime më të larta se tragetet e klasit të parë që lidhin Italinë me Francën”,- shprehet Egzon Mehmeti nga Maqedonia.

“Na kanë lënë dy orë në traget, pasi megjithëse kishte kaluar orari nuk niseshin. Më pas na lanë edhe dy orë të tjera në radë, sa të shkarkonin pasagjerët tragetet e tjerë që kishin ardhur para nesh. Është ora 12 dhe sapo kemi zbritur. Në traget kushtet ishin fort të këqia, çarçafët të palarë, ndërsa dyshekët copë-copë, të vjetër. Çmimet e biletave i preva online, dy ditët e fundit, para se të nisesha dhe ishin shumë të larta. 600 Euro tre persona dhe makina, vajtje-ardhje. Me kushtet që kishte trageti, nuk ja vlen të udhëtosh për 14 orë”,- u shpreh Valmir Hyseni nga Gjakova.