29 korrik 2015 – Të mërkurën, më 29 korrik 2013, paradite, me nismën e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të personit juridik publik “Autoriteti Portual Durrës” (APD), përfaqësues të institucioneve që operojnë në portin e Durrësit si dhe nga agjencitë e lundrimit, zhvilluan një takim për zbatimin e masave paraprake në periudhën e fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve me tragete, njoftoi zyra e shtypit e APD-së.
Të pranishmit u ndalën veçanërisht në bashkëpunimin mes APD-së, kompanisë koncesionare të terminalit të trageteve “Albanian Ferry Terminal Operator” (AFTO), drejtorisë së policisë rajonale të kufirit dhe migracionit (PKM), doganës, kapitanerisë dhe agjencive të lundrimit për përballimin e nisjeve masive nga Durrësi drejt porteve të Italisë, që pritet të nisë në mesin e muajit gusht. Në kushte normale janë 18 sportele, tha PKM-ja, e cila deklaroi se janë marrë masa për të përballuar çdo numër në rritje të udhëtarëve. Në takim u trajtuan edhe çështjet teknike të trageteve që mbërrijnë për herë të parë në port; korsitë e përshpejtimit të automjeteve që u drejtohen trageteve të ndryshme; bregëzimin e trageteve sipas kohës së mbërritjes në radë, ankorimin e emergjencave në kalatat 7-8, etj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





