Tragetet e linjave Durrës – Bari dhe Durrës –Ankona e kthim gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, kanë transportuar më shumë mallra dhe më pak udhëtarë sesa në 11-mujorin e vitit të kaluar.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se në këto 11 muaj tragetet kanë transportuar 805.106 ton mallra, të ngarkuar në kamionë dhe trajlera.
Kjo është një sasi 7% më e lartë se sa e 11-mujorit 2017, ndërsa importet dhe eksportet për të njejtën periudhë kanë patur gjithashtu të njejtën rritje, 7% secila.
Tragetet kanë transportuar 64.589 kamjonë dhe 5.468 trajlerë në 11 muaj, përkatësisht 5% më shumë dhe 2% më pak sesa në janar-nëntor 2017. Në periudhën janar-nëntor 2018 tragetet janë shfrytëzuar nga afro 793 mijë udhëtarë dhe 168 mijë autovetura.
Nga të njëjtat burime mësohet se tragetet kanë kryer 924 lundrime vajtje-ardhje, ose 2 lundrime më shumë se në 11 muajt e një viti më parë.