Trageti “M/N Bridge”, i kompanisë Adria Ferries, ka nisur udhëtimin e tij drejt Durrësit me shpejtësi të reduktuar.
Më herët, gjatë ditës u njoftua se trageti i nisur nga porti i Durrësit në datë 11 korrik, në orën 21.00 e që pritej të ankorohej në Trieste më 13 korrik në orën 06.00 kishte pësuar avari në det, e për këtë arsye nuk mund të mbërrinte në portin italian.
Në një komunikatë për shtyp, kompania Adria Ferries njofton se pavarësisht se drejtuesit e kompanisë kanë këmbëngulur që trageti të ankorohej në Trieste ku mund t’i bëheshin riparimet e nevojshme, kapiteni i anijes ka vendosur të ndërrojë kurs e të kthehet për në portin e Durrësit.
Sipas kompanisë, trageti në fjalë po udhëton me shpejtësi 9 nyje detare dhe pritet të mbërrijë në Durrës rreth orës 23.00 të datës 14 korrik.
Në traget ndodhen 17 pasagjerë dhe 25 mjete. Ndërkohë kompania Adria Ferries, për t’u ardhur në ndihmë pasagjerëve që kishin prenotuar për të udhëtuar nga Trieste për në Durrës me tragetin që do të nisej sot në orën 12.00, po punon për t’i nisur udhëtarët dhe mjetet me një tjetër trrget, nga një tjetër port.
Udhëtimi nga Trieste për në Durrës, i parashikuar për sot në orën 12.00, u anullua për shkak të avarisë teknike të tragetit “M/N Bridges”.





