Trageti “Galaxy” i linjës Vlorë-Brindisi nuk ka udhëtuar sot drejt portit italian.

Në një komunikim me “DurrësLajm”, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Paulin Ndreu bëri të ditur se kompania e lundrimit kishte bërë një kërkesë pranë këtij inistitucioni për të mos udhëtuar, duke qenë se pjesa më e madhe e udhëtarëve janë të linjës së autobusëve drejt rajoneve të veriut të Italisë.

Në të njëjtën kohë, kjo kompani është justifikuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe Kapitenerisë së portit të Vlorës se do të kryente dizinfektimin e mjetit lundrues.

“Kompania e lundrimit duhet minimalisht të njoftojë 10 ditë para autoritetet përkatëse në momentin kur kërkon të dizinfektojë tragetin. DPD e ka urdhëruar kompaninë që të vazhdojë udhëtimet sipas grafikut, sepse në të kundërt do të merren masa administrative ndaj kompanisë”, tha Ndreu.

Sipas tij, kompania po përdor justifikime të ndryshme për të mos udhëtuar drejt portit të Brindisit, ndërkohë që nuk ka asnjë vendim të autoriteteve shqiptare për të ndërprerë lundrimet.

Kujtojmë që se ky traget është i vetmi që lidh jugun e vendit me portin italian të Brindisit.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndaloi të gjitha udhëtimet nga porti i Durrësit drejt Ankonës dhe Triestes, ndërkohë që, tani për tani linja Durrës-Bari vazhdon normalisht lundrimet.