31 tetor 2015 – Një avion rus që kishte në bord 224 persona, nga të cilët 217 pasagjerë dhe 7 nga ekuipazhi, është përplasur sot në qendër të gadishullit Sinai në Egjipt pas nisjes nga aeroporti ndërkombëtar i Sharm el-Sheikut. Fatkeqësisht nga tragjedia ajrore e radhës nuk ka asnjë të mbijetuar.
“Të gjithë pasagjerët kanë vdekur”, shkruan në “Twitter” Ambasada Ruse në Kajro. Ndërsa mediat egjiptiane, duke cituar burime mjekësore, raportojnë se janë gjetur 100 trupa të paprekur dhe janë duke u përgatitur për transferim në një morg në Kajro, ndërsa trupat e tjerë janë të copëtuar.
Sipas autoriteteve, avioni arriti të ketë kontakt kur ishte mbi Qipron, dhe 23 minuta më pas ai u zhduk nga radarët. Pak përpara rrëzimit, kapiteni i avionit ka deklaruar se intinerari i avionit do të ndryshonte për shkak të një defekti teknik.
Avioni “Kogalymavia” i fluturimit 9268, i tipit Airbus A-321, sapo ishte nisur nga një resort turistik në Sharm el-Sheik, në Detin e Kuq dhe kishte si destinacion qytetin e Shën Petersburgut në Rusi. CNN shkruan se avioni kishte kryesisht turistë rusë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli ditë zie zyrtare 1 nëntorin, pas tragjedisë së vdekjes së 224 viktimave.
/portali DurresLajm/