Të paktën 18 minatorë kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë pas një shpërthimi të ndodhur në një minierë qymyri që operohej ilegalisht.

Sipas policisë, shpërthimi ndodhi të enjten rreth orës 11:00 sipas orës lokale, në zonën East Jaintia Hills. BBC shkruan se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende, ndërsa ekziston frika se disa punëtorë mund të jenë të bllokuar nën tokë.

Shefi i policisë së shtetit, Vikash Kumar, deklaroi se aksidenti lidhet me praktikën e rrezikshme të njohur si “rat-hole mining”, e cila përfshin përdorimin e dinamitit për hapjen e tuneleve shumë të ngushta, ku minatorët punojnë të përkulur për të nxjerrë qymyr. Kjo metodë është e ndaluar me ligj, por sipas aktivistëve, vijon të përdoret në disa zona të Meghalaya-s.

Autoritetet dyshojnë se shpërthimi u shkaktua nga dinamiti i përdorur brenda minierës. Deri më tani janë nxjerrë 18 trupa nga vendngjarja, ndërsa një person me djegie të rënda është transportuar për trajtim mjekësor në spitalin e qytetit Shillong. Numri i saktë i personave që mund të jenë ende të bllokuar nuk dihet.

Miniera ndodhej në një zonë pyjore, rreth 72 kilometra larg kryeqytetit të shtetit, Shillong. Policia ka hapur një çështje penale ndaj personave ende të paidentifikuar dhe po punon për të përcaktuar përgjegjësit dhe identitetin e viktimave.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, njoftoi se familjet e viktimave do të përfitojnë një ndihmë financiare prej 200 mijë rupish, ndërsa i plagosuri do të marrë 50 mijë rupish. Edhe kryeministri i shtetit Meghalaya, Conrad Sangma, deklaroi se përgjegjësit do të përballen me masa të rrepta ligjore.

Përgjegjësia do të përcaktohet dhe ata që janë përgjegjës do të përballen me veprime të rrepta ligjore,” tha kryeministri Sangma në një deklaratë.

Sipas banorëve lokalë, shumica e minatorëve që humbën jetën dyshohet se ishin nga shteti fqinj Assam. Kryeministri i këtij shteti, Himanta Biswa Sarma, u shpreh se autoritetet e Assam-it janë të gatshme të ofrojnë mbështetje për familjet e prekura, nëse kjo konfirmohet zyrtarisht.

 “Nëse kjo vërtetohet, ne do të ofrojmë çdo ndihmë dhe mbështetje të mundshme për familjet e prekura nga Assam.”, janë fjalët e Sarma.

Ky shpërthim konsiderohet një nga aksidentet më të rënda minerare në Meghalaya vitet e fundit. Në vitin 2018, një tjetër incident i rëndë në një minierë të ngjashme la të bllokuar 15 minatorë, pas përmbytjes nga uji i një lumi pranë.

Aktivistët theksojnë se minierat ilegale të qymyrit vazhdojnë në disa rajone të Indisë, pavarësisht ndalimit të plotë të vendosur nga Tribunali Kombëtar i Gjelbër në vitin 2014 dhe të konfirmuar më vonë nga Gjykata e Lartë. Sipas tyre, kërkesa e lartë për qymyr, varfëria, zbatimi i dobët i ligjit dhe mungesa e kontrollit efektiv vazhdojnë të rrezikojnë jetën e dhjetëra punëtorëve.