Ka përfunduar në tragjedi kërkimi për 27-vjeçarin nga fshati Kishaj i Hasit, i cili ishte zhdukur një ditë më parë pasi kishte dalë për të gjuajtur në malin e Pashtrikut.

Pas orësh të tëra kërkimesh, i riu u gjet pa shenja jete nga shërbimet e kërkim-shpëtimit. Ai kishte kaluar natën në mal nën kushte ekstreme të motit, mes reshjeve të dendura të borës dhe temperaturave të ulëta.

Rreth mesnatës, i riu kishte arritur të telefononte familjarët për ndihmë, por për shkak të terrenit të vështirë dhe motit të keq, ata nuk mundën ta gjenin në kohë.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet po hetojnë mbi rrethanat e vdekjes së 27-vjeçarit.