Turqi, 14 maj 2014 – Të paktën 201 minatorë humbën jetën, 75 u plagosën dhe rreth 200 të tjerë janë bllokuar nëntokë pas një shpërthimi dhe zjarri të fuqishëm brenda një minierë private qymyrguri në perëndim të Turqisë. 

Fillimisht u fol për 787 minatorë të bllokuar, rreth 2 km nën sipërfaqen e tokës, por shumë prej tyre mundën të dalin.

Përfaqësuesit e sindikatës thanë se “shpërthimi në minierën që ndodhet në qytetin Soma, në provincën e Manisas. u dëgjua gjatë ndryshimit të turneve dhe pikërisht kjo ishte arsyeja që pati pasiguri për numrin e minatorëve të mbetur brenda minierës”.

Presidenti turk Abdullah Gyl urdhëroi guvernatorin rajonal për të venë në dispozicion të gjitha burimet, për shpëtimin e minatorëve.  Ndërsa kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan i shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe nënvizoi se ekipet e shpëtimit do të bëjnë gjithçka të mundur për të shpëtuar minatorët e bllokuar, që mendohet se ndodhen 4 km larg hyrjes se minierës.

Aksidentet në miniera janë të zakonshme në Turqi, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë. Më i rëndi është regjistruar në vitin 1992, kur 270 minatorë humbën jetën në afërsi Zonguldak-ut, në Detin e Zi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/