Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Napoli të Italisë, ku kanë mbetur të vdekur dy persona ndërsa janë plagosur rëndë 13 të tjerë, pas shembjes së një ballkoni brenda rezidencës Vela Celeste di Scampia.

Sipas mediave italiane, është shembur ballkoni në katin e tretë, një strukturë hekuri dhe betoni, mbi ato të kateve më poshtë. Të pranishëm në platformën e betonit kanë qenë disa persona.

Viktimë kanë mbetur një 29-vjeçar dhe një 35-vjeçar, ndërsa shtatë prej 13 të plagosurve janë të mitur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë. Shtatë fëmijët e përfshirë janë nga dy deri në tetë vjeç, dhe sipas mediave fqinje janë në gjendje të rëndë. Raportohet së fëmijët kanë pësuar fraktura në trup si edhe mavijosje.

“Të shtatë fëmijët janë të gjithë me kod të kuq në spitalin Santobono të qytetit, të gjitha janë vajza dhe dy janë katër vjeç, dy janë dy vjeç dhe të tjerët janë dhjetë, tetë dhe gjashtë vjeç. Mes tyre, dy vajza të vogla janë të shtruara në terapi intensive”, shkruajnë mediat fqinje.

Ndërkohë nga rezidenca mësohet se janë evakuuar rreth 800 persona. Prefektura mësohet se do të bëjë një bilanc të situatës dhe do të vlerësojë kthimin e disa familjeve në banesat e tyre.

Po ashtu, edhe zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit kanë përjashtuar mundësinë që të ketë ende njerëz nën rrënoja.