POGRADEC, 7 nëntor 2013  – Pesë të rinj nga nje trung familjar kanë humbur jetën në një minierë në fshatin Beragozhd, komuna Dardhas në qytetin e Pogradecit. Viktimat janë tre vëllezërit Edison, Ledjon dhe Nertil Hamolli, përkatësisht 23, 24 dhe 25 vjeç. Gjithashtu, kanë humbur jetën edhe dy vëllezërit Sazan dhe Arjan Hamolli kushërinj me tre të parët. Të rinjtë ishin futur në minierë për të nxjerrë skrap. Dyshohet se shkak i vdekjes së të rinjve është bërë një gjenerator, me anë të të cilit vihej në punë një pompë që shërbente për nxjerrjen e ujit jashtë minierës. Tymi i gjeneratorit dyshohet t’i ketë asfiksuar të rinjtë. Policia dhe shtabi i emergjencave ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa pritet mbërritja e grupit të kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e viktimave të tjerë. Deri tani është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të Edisonit dhe Nertil Hamollit, 25 vjec. Nxjerrja e trupave është bërë e vështirë jo për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumës e 300 metrash.

Deklarata e Policise 
Paraditen e sotme, policia e Korcës zbardhi pjesërisht ngjarjen e tragjike. 

“Ditën e djeshme, në minierën e Beragozhdit komuna Dardhas Pogradec, janë futur në galeri për të marrë hekura (Skrap) shtetasit: E.Hamolli, N.Hamolli, L. Hamolli (vellezer) dhe dy djemte e xhaxhait A.Hamolli dhe S. Hamolli (mosha e tyre eshte nga 23-28 vjec. Ka mbërritur dhe grupi i shpëtimit të minierave, po punohet për nxjerrjen e trupave të pa jetë.” 
Nxjerrja e hekurit për skrap, e mbetur si e vetmja alternativë për të siguruar jetesën, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën me 28 Tetor, një 24-vjeçari nga fshati i Beragozhdës ne Pogradec. 
Ardian Hamolli mbeti i bllokuar për afro 12 orë në minierën e Beragozhdës për shkak të rrëshqitjeve të gurëve në zonën ku ai gërmonte. 
Moskthimi i tij në shtëpi ka alarmuar familjarët të cilët lajmëruan policinë. 
Kjo e fundit së bashku me forcat e kërkim-shpëtimit nisën operacionin për nxjerrjen e të riut, i cili ka mundur të dalë vetë nga miniera. 

Ministria e Energjitikës 

Përmes një njoftimi për shtyp Ministria e Energjetikës thotë se miniera ishte e mbyllur prej 20 vitesh dhe viktimat kanë hyrë në mënyrë ilegale për të marrë materiale. Zyra e shtypit e kësaj ministrie informon  se Zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Ilir Bejtja, Prefekti i Qarkut, drejtuesit e RISHM-it dhe forcat e policisë ndodhen në vendin e ngjarjes ndërsa po punohet edhe për të sqaruar rrethanat e plota.