SPANJË, 25 korrik 2013 – Të paktën 80 persona humbën jetën dhe rreth 140 tjerë u plagosën pasi treni me të cilin ata po udhëtonin doli nga shinat.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë pasdites së të mërkurës në qytetin Santiago de Compostela të rajonit të Galicias në veri të Spanjës.
Në trenin e shpejtësisë së lartë udhëtonin rreth 240 persona. Disa dëshmitarë deklaruan se në fillim është dëgjuar një shpërthim dhe më pas treni doli nga shinat, 4 nga vagonë u përfshinë menjëherë nga flakët.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë zjarrfikëset dhe shumë ambulanca për ti ardhur në ndihmë të lënduarve.
Policia e Spanjës e ka vënë nën hetime formale makinistin e trenit, që doli nga binarët teksa udhëtonte nga Madridit në drejtim të El Ferrol.Kompania shtetërore e hekurudhave bëri të ditur se është shumë herët që të përcaktohet shkaku i përplasjes së trenit, por mediat raportojnë se treni lëvizte me shpejtësi prej 190 kilometrash në orë, në një kthesë ku shpejtësia nuk duhet të kalojë më tepër se 90 km/orë. Në tren udhëtonin pushuesit dhe pelegrinët që udhëtonin për manifestimet në Santiago de Compostela, në rajonin Galicia. 95 të plagosur po marrin ndihmën mjekësore në spital, ndërsa 36 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.
Qeveria e Spanjës ka shpallur tri ditë zie kombëtare.





