Kiev, 20 korrik 2014 – “Shi me trupa njerëzish”. E thënë fjalë për fjalë binin kufoma nga qielli. Përputhen thuajse të gjitha dëshmitë e civilëve ukrainas të mbledhura në vendin e tragjedisë dy ditë më përpara. “Ishte pak para orës 17:00, kur dëgjova një plasje dhe më pas një shpërthim të dytë. Më pas pashë disa njolla të zeza të shfaqeshin mës reve dhe vetëm pak moment më vonë copa avioni dhe mbetjesh që binin nga qielli” – tregojnë vendasit për fotografët dhe gazetarët e mbërritur në vendngjarje.
Kufoma dhe mbetje të avionit të shpërndara mbi lulekuqe, mes barit të gjelbër dhe fushave të grurit, disa trupa ende të lidhur me rripin e sigurimit. Vjen erë karburanti të djegur dhe dekompozim organik. Detaje makabre, më pas të imagjinuara më realisht nga shpërndarja e menjëhershme e filmimeve në internet nga fshatarët, minatorët dhe guerrilasit filorusë që mbërritën në vendngjarje.
Shenja që e bëjnë edhe më therrëse tragjedinë. Mishërojnë dramën njerëzore dhe të bëjnë të mendosh që do ketë pasoja politike patjetër. 298 jetë njerëzish të vrara në mënyrë mizore, shumë fëmijë, një numër shumë i madh qytetarësh holandezë, plot 189, të shumtët turistë; por edhe dhjetra mjekë specialistë për kurimin e AIDS, të cilët duhet të shkonin në një konferencë ndërkombëtare në Melburn, studentë me pushime, të dashuruar drejt plazheve të Oqeanit Indian dhe atij Paqësor. Mes rrënojave telekamerat ndalen tek një guidë e ishullit Bali, e cila për fat të keq nuk u përdor kurrë. Ka dhe disa libra me kopertina plot ngjyra, me imazhe kafshësh… Jetë të marra në harkun e pak sekondave. Mund vetëm të imagjinojmë duke parë mbetjet në tokë, mbi atë çka ka ndodhur në 10.000 metër lartësi, mbi re, pasditen e të enjtes.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





