7 shtator 2015 – Tragjedia e familjes së vogëlushit sirian Aylan, që humbi jetën së bashku me vëllanë dhe mamanë e tij në brigjet e detit në Turqi, prekën mbarë botën. Fotot e trupit të pajetë të djaloshit buzë detit, përlotën me mijëra vetë në Shqipëri e kudo.
Por nuk është vetëm familja e Aylan-it të vogël që ka humbur jetën tragjikisht në det në përpjekje për t’i shpëtuar luftës në Siri duke emigruar në Europë. Janë me qindra të tjerë.
Në shenjë solidariteti ndaj popullit sirian dhe njerëzve të atij vendi që po humbin jetën brigjeve të detit Mesdhe, aktivistë të organizatës jofitimprurëse “Lëvizja Reago për Drejtësi”, kanë hedhur disa lule në brigjet e detit të Durrësit.
Djem dhe vajza të reja të kësaj organizate, e cila është me seli në Durrës, ditën e djeshme kryen një aktivitet simbolik duke hedhur lule në bregun e detit në zonën e Currilave, duke u ndërgjegjësuar mbi tragjedinë e refugjatëve. Sipas këtyre të rinjve, shqiptarët e dinë mirë se ç’është migrimi dhe gjithashtu i njohin mirë këto lloj tragjedish.
"Zoti i ndihmoftë (njerëzit gjithashtu pak më tepër)! Kishte kohë që fjalët binin në vesh të shurdhër, më keq akoma, kishte kohë që fjalët i merrte era. Atë ditë, fjalët iu bashkuan heshtjes dhe të dyja i mori deti. Askush nuk foli, çuditërisht u dëgjua shumë. U dëgjuan fjalët e shumë ditëve dhe heshtja e asaj dite të vetme. Nuk kishte as parada në formë proteste, nuk kishte as jehonë politike. Atë ditë nuk kishte më as ndërgjegje dhe as ndjenja njerëzore. Të gjitha këto ishin shuar bashkë me dy engjëjt në detin e pafund të mëkateve dhe padrejtësive. Ato dy engjëj kishin ardhur si një letër brenda shisheve të oqeanit me mbishkrimin: 'Askush nuk mund të përcaktojë fate, ama ky ishte fati ynë… Njerëzimit duhet t’i kthehen ndjenjat, bashkë me ndjenjat që patem ne. Ne na deshen shumë, e ndërsa sot, sot na vendosën fatin. Ne e donim jetën, e ndërsa jetën na e mori fati", shkruhet në faqen zyrtare të organizatës “Lëvizja Reago për Drejtësi”.
Dhe në fund, ata e mbyllin me një mesazh:
“Të gjithë kanë të drejtë legjitime për të jetuar dhe për të gëzuar atë që kanë. Askush nuk ka të drejtë të vendosë mbi fatet dhe të ardhmen e të tjerëve”.
/S.L. portali DurresLajm/