28 prill 2015 – Jo vetëm që u shpall i pafajshëm, por edhe do të dëmshpërblehet me 15.600 euro nga shteti shqiptar, për mbajtje në burg tej afateve të parashikuara me ligj.
Bëhet fjalë për biznesmenin Mihal Delijorgji, pronar i kompanisë së grumbullimit të skrapit “Albademil”, që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit më 15 mars të 2008-s, ku humbën jetën 26 banorë dhe u plagosën qindra të tjerë.
Delijorgji doli sot para Gjykatës së të Drejtave të Njeriut me qendër në Strasburg për seancën gjyqësore kundër Shqipërisë, e cila mori vendimin në favor të tij.
Kjo gjykatë ka konstatuar se gjatë procesit gjyqësor ndaj tij është vërejtur një shkelje e këtyre të drejtave, për respektimin e të cilave Shqipëria është angazhuar me nënshkrimin e Konventës së të Drejtave të Njeriut.
Delijorgji paditi shtetin shqiptar lidhur me periudhën që qëndroi në paraburgim për çështjen “Gërdeci”, nga e cila u dënua me gjashtë vjet e gjysmë, por përfitoi nga ulja e dënimit. Ai pretendon se është mbajtur në paraburgim në mënyrë të padrejtë nga shteti shqiptar dhe kjo i ka shkaktuar atij dëme ekonomike me bizneset që drejton.
Arsyetimi i tij është marrë në konsideratë nga Strasburgu, sipas të cilit mbajtja në burg e Delijorgjit nga data 24 nëntor 2010 deri më 12 mars 2012 është në shkelje të ligjit dhe se kërkesa e bërë prej tij në Gjykatë për lirim nuk është shqyrtuar me shpejtësinë e duhur.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/