Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që mijëra fëmijë ukrainas të humbasin prindërit në luftë.

Sipas të dhënave të organizatës “SOS-Kinderdorf” më shumë se 13.000 fëmijë ukrainas po rriten pa kujdesin prindëror. Organizata kërkoi para Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës që zhvillohet në Berlin (11-12.06.) një reformë të zgjeruar të sistemit të përkujdesit për fëmijët si edhe mbrojtjen e posaçme të tyre.

Kurse organizata “terres des hommes” kërkoi para Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës në Berlin një mbështetje më të madhe financiare për organizatat që kujdesen për fëmijët në Ukrainë. Konferenca duhet të kujdeset që fëmijët dhe adoloshentët e traumatizuar të marrin ndihmë psiko-sociale, tha koordindatori për Europën, Thomas Berthold për Shërbimin Evangjelist, epd. Aktualisht ofertat janë të pamjaftueshme, theksoi Berthold.

Fëmijë shkolle duke u futur në një bunker, Kharkiv
Fëmijë shkolle duke u futur në një bunker, KharkivFotografi: DW

Në të ardhmen do të rritet ndjeshëm numri i fëmijëve në nevojë

Arsyet për humbjen e prindërve janë të ndryshme. Drejtuesi i organizatës “SOS Kinderdorf” për fëmijët në Ukrainë, Serhii Lukashov u shpreh, se “një pjesë e prindërve kanë rënë në luftë, të tjerë janë të burgosur. Pas dy vitesh luftë gjithnjë e më shumë familje rrezikojnë të shkatërrohen nën barrën e luftës”. Sipas të dhënave të kësaj organizate, në të ardhmen “shumë, shumë më tepër” fëmijë ukrainas do të kenë nevojë për alternativa të kujdesit, jashtë familjes, citon agjencia e lajmeve, kna.

Në Ukrainë është një praktikë e zakonshme, që fëmijët të strehohen në jetimore të mëdha anonime. Aty ata rriten në kushte “shumë të këqija”. Organizata “SOS Kindërdorf” kërkon që kujdesi për fëmijët t’u përshtatet standardeve europiane, ku si kriter të shërbejnë të drejtat e fëmijëve.

Fëmijë dhe gratë e ushtarëve në luftë kërkojnë që të kthehen ushtarët që janë prej dy vitesh në front, nëna dhe fëmijë në protestë duke mbajtur parulla në duar
Fëmijë dhe gratë e ushtarëve në luftë kërkojnë që të kthehen ushtarët që janë prej dy vitesh në frontFotografi: Oleksandr Savytskyj/DW

Që para luftës në Ukrainë, rreth 100.000 fëmijë ukrainas rriteshin në jetimore, 1,3% e popullsisë. Më shumë se 90% e këtyre fëmijëve nuk janë jetimë, sipas Lukashov, por janë sjellë aty për shkak të varfërisë dhe nevojës emergjente ekonomike. “Kjo duhet të ndryshojë. Në vend që të dërgohen fëmijët në jetimore, duhet që të mbështeten familjet.” “SOS Kinderdorf” ka ngritur në disa rajone në Ukrainë qendra kujdesi për fëmijët./ DW