ELBASAN, 9 prill 2013– Studentet e mbijetuara të tragjedisë së Himarës dhe familjet e 13 viktimave të këtij aksidenti, kanë paralajmëruar protesta deri në greve urie nëse kompania “Sigma” nuk jep dëmshpërblimet.
Në një deklaratë në qytetin e Elbasanit, një nga të mbijetuarat Blerina Çeremi, në emër të të gjitha vajzave ka shprehur indinjatën për sorollatjet e njëpasnjëshme, pothuajse prej një viti.
Duke e konsideruar dëmshpërblimin, si një të drejtë ligjore, ata u kanë bërë thirrje institucioneve përkatëse, kryeministrit, ministrit të Drejtësisë si dhe Avokatit të Popullit të ndërhyje.
Në të kundërt 26 studentet e mbijetuara dhe familjet e viktimave do të protestojnë para kompanisë “Sigma”. Nëse nuk do të ketë sërish reagim, ata shprehen se do të hyjnë në grevë urie.
Ndërkohë nga Prefektura e Elbasanit bëhet e ditur se aktualisht është bërë ndarja e vlerës së dëmshpërblimeve, që i takon çdo studenteje dhe familjeve të viktimave, por gjithçka ka mbetur pezull nga kompania “SIGMA”, që ende nuk ka bërë likuidimin. Sipas prefektit te qarkut të Elbasanit, Shefqet Diallisi, dëmshpërblimet janë 1.2 milionë lekë për familjet e viktimave dhe 300 mijë lekë për të mbijetuarat.
Aksidenti i Himarës u shënua më 21 maj 2012, në Qafën e Vishës në Himarë, ku 11 studentë, i fejuari i njërës prej tyre dhe shoferi i autobusit humbën jetën, ndërsa mbi 20 të tjerë u plagosën.





