Tragjedia e Münsterit, ku humbën jetën tre persona mes tyre edhe autori i krimit duket se nuk ka sfond terrorist.

Gazeta gjermane,"Süddeutsche Zeitung“ shkruan se autor i krimit është një 48-vjeçar gjerman me probleme psikike.

Ndërsa gazeta gjermane "Bild" shkruan se autori i dyshuar, që përdori automjetin për t'u vërsulur mbi turmën e njerëzve nuk ka qenë person i njohur për policinë.

Ai vrau veten me pistoletë menjëherë pas sulmit. Policia gjermane po kontrollon apartamentin e tij për të zbuluar, nëse personi ka mbajtur lëndë shpërthyese.

Pasditen e së shtunës, një makinë përplasi turmën e njerëzve në qytetin e Münsterit. Tre persona humbën jetën, ndërkohë që autori vrau veten. 20 persona janë plagosur, gjashtë prej tyre rëndë, bëri të ditur policia gjermane.