Më 28 mars të vitit 1997, anija “Kateri i Radës”, me qindra pasagjerë në bord, u nis nga Vlora, duke u drejtuar për në Itali. Ata ishin refugjatë që iknin nga një pranverë e thyer shqiptare, por përfunduan në fund të detit. Tragjedia mori jetën e 81 personave, dhe pas 28 vitesh, plagët e dhimbjes nuk janë mbyllur ende.
Familjarët e viktimave kanë përkujtuar të afërmit e tyre duke vendosur lule pranë varreve, ndërsa disa prej tyre nuk kanë mundur ta bëjnë këtë, pasi trupat e viktimave mbetën të mbytur në det. Anija, e cila kishte 142 pasagjerë në bord, u ndalua nga anija ushtarake italiane “Sibilla”, e cila e goditi dhe e fundosi atë në det.
Dionis Andoni, ish-ushtaraku që ka jetuar tragjedinë, akuzon ushtarët italianë për mosdhënien e ndihmës dhe trajtimin e refugjatëve si armiq. Ai thekson se ata shkelën ligjet ndërkombëtare, duke bërë të mundur mbytjen e anijes dhe duke mos iu ardhur në ndihmë emigrantëve.
Andoni gjithashtu shprehet i zhgënjyer nga qeveria shqiptare, e cila, sipas tij, e ka marrë me indiferencë këtë çështje dhe nuk ka bërë asgjë për të ofruar një dëmshpërblim moral për familjarët e viktimave.