DURRËS, 13 janar 2015 –  Me rastin e 52 vjetorit të inagurimit të Teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit u dha premiera e tragjedisë "Elektra" të Sofokliut. Vënia në skenë e një tragjedie të tillë është dëshmi guximi nga ana e trupës së teatrit si edhe shenjë e maturisë artistike të kësaj trupe. Në shfaqje merrnin pjesë Kryebashkiaku Dako, deputetë, veteranë të teatrit durrsak e familjarë të tyre. Binte në sy, që trashëgimia e doganave shqiptare përfaqësohej në lozhat e Aleksandër Mojsiut me Kryetarin e Këshillit të Qarkut Durrës-Krujë, z. Mullaraj dhe Kryetarin e Kontrollit të shtetit z. Leskaj.

Shfaqjen e nderonte me praninë e tij edhe shoumeni i suksesshëm grekofono-shqiptar Arian Çani i shoqëruar nga bashkëshortja.

Elektra “durrsake” ishte me të vërtetë e veçantë, me të vërtet speciale. Binte menjëherë në sy mjeshtëria e Laert Vasilit, regjizorit shqiptar të sapo kthyer nga Greqia. Ai kostumografinë e shfaqjes në vend të përdorimit të tunikave, kitoneve dorike, himatoneve, e togave të antikitetit e kishte mbështetur në një formulë si prej alkimisti, ku përziheshin kostumet e ish popullatës turko-myslimane të Kretës, kombinuar me veshjet e burrave të Manit (malësia e Peloponezit) si edhe të grave të kuçovllehëve të Pindit.

Kori grek ishte zëvendësuar me një kombinim optimal të vajeve të grave të Rivierës (Vunoi, Qeparoi, Kudhësi), me vikamën e burrave të tribuve katolike të Tropojës, që thuajse vazhdimisht shoqërohej nga një onomatopei, imituese e klithmave të bufave apo të kukuvajkave. Për ta bërë edhe më tragjike atmosferën në skenë, disa prej personazheve kishin bërë një grim, që i bënte të ngjashëm me personazhet zombie Xhorxh Romeros.

Aktorët durrsakë përgjithësisht e kaluan me sukses  “provën e zjarrit’ të Elektrës. Eralda Caushi tejkaloi edhe vetveten me lojën mjeshtërore të Elektrës së saj. Ajo shkëlqeu sidomos në skenën kulmore, kur kalohet nga vaji e vikama për vëllain e vdekur në lumturinë ekstreme për vëlla Orestin, që jo vetëm qenka gjallë, por edhe në Pallatin e Artridëve i gatshëm për t'u hakmarrë për vrasjen e Agamemnonit baba e mbret. Personalisht mendoj, pa e kaluar masën e përgëzimeve se Elektra e Eraldës ia kalonte edhe Elektrës së aktores së shquar  grekofone,  Luiza Xhuvani (Papa) të vitit 2010. Ndërsa shijoja lojën e Elektra-Eraldës m'u kujtua proverbi gjerman: varrezat janë mbushur plot me njerëz të pazëvendësueshëm.

Talenti i regjisorit Vasili dhe djersa, puna e Eraldës na dhanë një Elektra durrsake, që i bën nder çdo skene evropiane. Oresti i interpretuar nga Amos Zaharias me të vërtetë nuk kishte asgjë për t'u sharë dhe sillte vlera të shtuara artistike në skenën shqiptare. Surprizë ishte edhe Klitemnestra e Mimoza Marjanakut.

Aktorja, përjashtimisht kishte arritur të shprehte me sukses tragjedinë e Klitemnestrës, ku mishërohej vrasja e burrit për t'u hakmarrë për sakrifikimin e së bijës, po nga ky Agamemnon, mbret e bashkëshort. Vrasje kjo, që sipas legjendës e ndau në dysh Aeropagun, gjykatën e Greqisë antike.

Gjergj Doçi në skenë të ofronte një rol që të kujtonte sa figurën e mbretit Nestor të antikitetin (mencuri, burrëri, vendosmëri madje edhe mizori) aq edhe figurat e pleqve të mendjes e të pallës të kuvendeve të burrave në Mirditë e në gjithë malësitë e veriut. Egisti mbretvrasës në gjykimin tim nuk arriti të jepte më të mirën sidomos, në momentin final, kur kalon nga gëzimi e ngazëllimi ekstrem (Oresti kërcënimi i fundit i fronit dhe i jetës së tij ka vdekur) në tmerr e llahtar, sepse Oresti jo vetëm nuk ka vdekur, por është gjallë, në pallatin mbretëror gati për t’i marrë jetën Egistit.

Me gojën plot mund të themi se Elektra, që pamë në skenën e Aleksandër Moisiut është një arritje e teatrit shqiptar, një “produkt”, i cili është lehtësisht “i eksportueshëm” edhe në skenat më prestigjoze europiane. I vetmi problem madhor i shfaqjes ishte i ftohti thuajse siberian, që mbretëronte në sallë.

52 vite më parë, kur u inagurua Teatri "Aleksandër Moisiu" kaldaja gjermano-lindore punonte më së miri duke u krijuar kushte optimale spektatorëve në sallë.

Sot pa qenë nostalgjik të kohës së Dullës mund të themi se Bashkia e Durrësit, për sa i përket sallës së teatrit ende është larg standardeve të Komitetit Ekzekutiv të kohës së Iliaz Rekës.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/