16 nëntor 2014 – Greqia pushon trajnerin Claudio Ranieri. Sic raportojnë mediat greke, aventura që nisi trajnerit italia në stolin e përfaqesueses ballkanike tashmë ka përfunduar zyrtarisht. Mëngjesin e kësaj të shtune, Ranieri takoi presidentin e Federatës greke, George Saridis, për të sqaruar fundin e raportit profesional. Trajneri italian pritet të qëndrojë në drejtimin e Greqisë deri të martën, për miqësoren e programuar kundër Serbisë, e cila do të jetë edhe ndeshja e tij e fundit si trajner i përfaqësueses helene. Palët duhet të gjejnë dhe mënyrën e zgjidhjes së kontratës dy vjecare prej 1.6 milionë eurosh që u firmos verën e kaluar nga Ranieri. Nuk duhet ndonjë intuitë e madhe për të gjetur motivin e pushimit, në kualifikueset e Euro 2016, Greqia ka mbledhur vetëm 1 pikë në 4 ndeshje, tre disfata në tre ndeshje në shtëpi, ku nuk ka shënuar asnjë gol. Disfata e fundit, erdhi kundër modestëve të Ishujve Faroe që fituan 1-0 në Athinë këtë të premte.
Ranieri mori përgjegjësitë pas ndeshjes duke lënë të kuptohej se nuk kishte si synim të jepte dorëheqjen por sulmi i shtypit grek këtë të shtunë ishte i pamërshirshëm. "Na shkatërroi" titullonte Goal news që bënte thirje për shkarkimin e Ranierit, ndërsa SportDay nuk kursehej duke shpalosur titullin, "Vdekja e futbollit". Presidenti i federatës greke mori përsipër gjithë përgjegjësinë e zgjedhjes së Ranierit për kombëtaren, ndërkohë që italiani mund të pasohet nga një tjetër bashkëkombas në stol, pasi sic bëjnë të ditur mediat greke në pole position për marrjen e drejtimit të Greqisë është Giovanni Trapattoni.





