Gjykata e Tiranës caktoi masën "arrest me burg" për Ilir Bendon, drejtuesin teknik të sigurisë së punimeve për firmën "Syla" në lidhje me ngjarjen tragjike të disa ditëve më parë, kur u shemb skela e pallatit në rrugën "Faik Konica". 

Ai u gjet fajtor për anashkalimin e sigurisë teknike në punë, gjë që solli shembjen e skelës dhe vdekjen e dy punëtorëve Ergys Brahimaj dhe Orjan Kodra dhe plagosjen e Euglidios Likës dhe Gentian Bardhit.

Ndërsa për të ndaluarin tjetër, Xhimi Tarushi, drejtues teknik i punimeve për firmën "Xhimi" është caktuar masa "arrest shtëpie".

Përpara trupës gjykuese, Bendo deklaroi se nuk ka qenë prezent gjatë kohës kur skela e pallatit në rrugën "Faik Konica" u shemb.

"Skela ka qenë e montuar prej 40 ditësh. Nuk kam qenë prezent në momentin kur ajo është shembur", deklaroi në seancë specialisti i firmës "Syla" Ilir Bendo.