Tre shtëpi kanë hapur dyert e mortit ditën e sotme në fshatin Dyshnik të Beratit , ku një fatkeqësi e ndodhur u mori jetën Kamber Hoxhës, Neim Hoxhës dhe Gentian Golashit.

Në një intervistë për Top Channel, Neki Hoxha, (vëllai i Kamber Hoxhës) tha se fillimisht në pus kishte hyrë Kamberi i cili po tentonte të hiqte shkallët e pusit dhe më pas ta mbushte me dhe për shkak se ishte tharë, por gazi e ka asfiksuar.

Për të shpëtuar atë menjëherë është futur nipi (djali i motrës) Gentian Golashi dhe më pas djali i vëllait, Neim Hoxha por edhe këta të dy mbetën të asfiksuar.

“Vëllai po e mbushte me dhe këtë pusin. Po mundohej të hiqte, dhe nuk e  dinte se ishte mbushur me gaz. Vëllai ngeli brenda. U fut nipi, çuni i motrës, Gentiani ngeli edhe ai. U fut edhe djali tjetër Neimi dhe ngeli edhe ai.  Nxjerrja vonoi pak mbi një orë. Njëri xhaxhain njëri dajën. Më takuan rrugës zjarrfikësit iu hapa edhe rrugën se nuk e dija se ku po shkonin.” tha Neki Hoxha.