Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas ngjarjeve të ndodhura ditën e djeshme, ku humbën jetën 12 persona.
Përmes një postimi të bërë në rrjetin social Facebook, Berisha e ka quajtur ditën e djeshme si ‘e premtja e zezë’.
Teksa ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave, ai është shprehur se dënon me ashpërsinë më të madhe indiferencën kriminale, për sigurinë e ujërave në vend.
“Një e premte e zezë me 11 viktima, si në një vend pa shtet.
Të dashur miq, dje ishte një ditë tragjike në ujrat shqiptare dhe jo vetëm në to. Në ujrat e liqenit të Banjës u mbutën Arben Zogu, 46 vjeç, me dy djemtë e tij, Rubensin Zogu, 19 vjeç dhe Estin Zogu 14 vjeç, si dhe kushëririn e tyre Melsi Zogu, 20 vjeç. Kjo tragjedi e madhe familjare, që ka tronditur thellë shoqerinë tonë ishte plotësisht e parandalueshme, në rast se do ushtroheshin përgjegjësitë shtetërore, për përdorimin e liqenit për qëllime turistike, plazhi dhe noti. Por shteti, për qytetarët nuk egziston.
Duke shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes dhe banorëve të Gramshit, për këtë tragjedi të rëndë familjare, dënoj me ashpërsinë më të madhe indiferencën kriminale, për sigurinë në ujrat e vendit, që shprehet kudo dhe në të gjitha fushat, ndërsa dje ka patur edhe 7 viktima të tjera në ujra, rrugë, kabina elektrike etj”, shkruan Berisha.