Tiranë, 3 gusht 2014 – Ka reaguar Partia Demokratike në lidhje me incidentin e ndodhur në hidrocentralin e Qafë-Mollës në Mirditë, ku humbën jetën tre punëtor, si pasojë e shembjes së një pjese të tunelit. Në një dalje publike nga selia blu, zëdhënësja e Partisë Demokratike ka akuzuar si përgjegjës për këtë fatkeqësi Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Sipas PD-së, Veliaj në muajin janar ka inspektuar punimet në këtë HEC dhe se çdo gjë ishte sipas parametrave të duhura.
“Aksidenti tragjik që u mori jetën tre punëtorëve në Hidrocentralin e Qafë Mollës, është ngjarje e rëndë dhe meriton të hetohet me shpejtësi nga prokuroria. Por një nga përgjegjësit për humbjen e këtyre jetëve, është padyshim Erion Veliaj, i cili jo vetëm ka autoritetin dhe detyrën për të garantuar sigurinë, por bash si Ministër i Punës, ai në janar të këtij viti ishte pikërisht në këtë kantier, dhe dha konfirmimin e tij zyrtar për kushtet e punës. Tre punëtorët mund të ishin mes nesh sot, nëse Ministri i Punës do ti shqyrtonte me kujdes e përgjegjësi rrethanat, pra nëse do ta bënte si duhet punën e tij.”-tha zëdhënësja Vorpsi.
Sipas PD-së, ministri Veliaj, si përgjegjës kryesor, nuk ka thënë asnjë fjalë për tragjedinë që mori 3 jetë njerëzish. Më tej PD ka theksuar se ky ministër nuk i ka kushtuar asnjë minutë kohë për punëtorët e nëntokës.
“Nëse ju kujtohet, Erion Veliaj e farkëtoi karrierën e tij politike kur ishte në opozitë, si demagog i nëntokës. Ai ishte shpirti më i ndjeshëm për minatorët, dhe punëtorët si tre viktimat e fundit, të ndjerët që punonin në galeri të thella deri në 1600 metra në kushte mizerabël, siç thonë kolegët e tyre. A e keni parë këto ditë Erion Velinë të thotë një gjysmë fjale për këtë aksident tragjik që mori tre jetë, ngjarje për të cilën ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë. As edhe një gjysmë fjale. Eshtë parë Ministri i Punës në krye të dafrungës në zonën e tij elektorale me shampanjë në dorë, por asnjë minutë nuk ka pasur ai për punëtorët e nëntokës. Prokuroria duhet të hetojë dhe të bëjë drejtësi. Por para opinionit publik sot, përgjegjësi numër një për humbjen e këtyre jetëve, është Erion Veliaj.”- përfundon deklarata e PD-së.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





