“Amanet fëmijët”. Këto janë fjalët e fundit që autori i ngjarjes së rëndë të ndodhur në Klos mesditën e djeshme, i ka thënë vëllait të tij Besnik Mjeshtri.

Në një intervistë, Besnik Mjeshtri rrëfeu se pas ngjarjes kishin komunikuar në telefon me Fiqiriun, dhe se i kishte kërkuar të dorëzohej në polici. Sipas Besnikut, Fiqiriu nuk e kishte pranuar diçka të tillë, por kishte kërkuar të fliste me vëllain tjetër Fatmirin.

Ndër të tjera, Besniku shtoi se e vetëm pak çaste pasi kishte folur me Fatmirin ka vrarë veten. “Dëgjuam krismën e armës në telefon”, shprehet Besniku, ndërsa shtoi se menjëherë në vendngjarje shkuan 2-3 policë dhe vëllai i tij Fatmiri. Sipas rrëfimit të tij, Fiqiriu u gjet i vdekur me armën tek koka.

“Pasi kreu krimin është larguar në këmbë, armën e ka pasur në dorë. Bërtisnin njerëzit, u çorientuam. Mora makinën time dhe erdha në shtëpi, po ulërinin njerëzit, po qanin. Se kishte vrarë akoma vëllai veten.

Si përfundim vjen policia dhe i thashë “të vini, unë nuk largohem, s’kam kundërshtim, nuk kam punë as me polici as me gjë”. Hajdeni u thash bëni kontroll ku të doni, hynë nëpër banesa. Më thotë shefi Gëzim Murrani “Aman Besnik, lidhu me të”. E mora në telefon i shkoi zilja dhe e hapi: “I thash ku je?:, u përgjigj: “Diku këtej!”. I thashë “hajde dorëzohu se burgu mbarohet, kanë dalë të gjithë prej burgu! Bëhu burrë e hajde këtu dorëzuar!” Ishte i tronditur, tha “nuk vij”. Ka fol Gëzim Murrani me të gati 20 minuta duke e lutur, pastaj i tha kaloja telefonin Besnikut. Mua më tha “amanet kalamajtë, të kesh amanet fëmijët”. Iu drejtova: “Pse po i le amanet, hajde takohemi, flasim nga afër. nuk të lëmë rrugëve, do të ndihmojmë”. “Jo, jo, më kalo Fatmirin”, më tha.

Foli dhe me Fatmirin, i tha të njëjtat gjëra. Fatmiri duke qarë në telefon dhe tha “e vrau veten”. Dëgjuam krismën e armës në telefon kur po fliste. I tha Fatmirit që ndodhej në një vathë, livadh i vjetër. Kur krisi arma shkoi Fatmiri dhe 2-3 policë e gjetën të vdekur me armë tek koka. Jam i tronditur”,-tha Besnik Mjeshtri.