Policia ka vijuar kontrollet në disa zona të Koçanit dhe Shkupit në kuadër të hetimeve për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls”, ku humbën jetën 59 persona dhe mbi 150 të tjerë u plagosën.

Sipas informacioneve, janë kontrolluar rreth 20 banesa, ndërsa janë sekuestruar pajisje elektronike dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova. Mes personave të ndaluar janë gruaja dhe vajza e pronarit të lokalit, Dejan Jovanov – Deki, të cilat ndodhen në stacionin policor që nga nata e kaluar.

Prokuroria nuk e ka konfirmuar ende zyrtarisht arrestimin e tyre, por ka njoftuar se janë marrë në pyetje disa persona të dyshuar.

Hetimi përfshin 34 individë dhe tre subjekte juridike. Mes të arrestuarve janë ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ish-drejtori i Inspektoratit të Tregut Goran Trajkovski, si dhe ish-kryetari i Komunës së Koçanit Ljupço Papazov bashkë me paraardhësit e tij Ratko Dimitrovski dhe Nikolco Iliev. Gjithashtu, në pranga kanë përfunduar ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Bekim Maksuti dhe ish-sekretarja shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë Razmena Çekic.

Ndërkohë, grupi i prokurorëve është zgjeruar me 11 hetues të rinj, të cilët pritet të marrin në pyetje mbi 300 dëshmitarë për të hedhur më shumë dritë mbi përgjegjësitë dhe shkaqet e tragjedisë.

Prokuroria ka paralajmëruar edhe veprime të reja hetimore, përfshirë kontrolle financiare ndaj disa personave juridikë dhe individëve të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në parregullsi.