Numri i viktimave nga tërmeti tragjik i Marokut ka mbërritur tashmë në 820, me thuajse 672 të plagosur.

Sipas televizionit shtetëror të Marokut Al Aoula, rreth 205 persona janë në gjendje kritike.

Tërmeti vdekjeprurës me magnitudë 6.8, që goditi Marokun, mbrëmjen e të premtes ishte më i forti që goditi zonën në më shumë se 120 vjet. Siç citohet edhe nga Ministria e Jashtme, ekipet e shpëtimit përpiqen që të arrinë në zonat më të prekura.

Epiqendra ishte në malet e Atlasit të Lartë, rreth 72 kilometra (44.7 milje) në jugperëndim të Marrakesh, një qytet me rreth 840,000 banorë si dhe një destinacion turistik. Në Marrakesh, i cili është edhe qyteti më i madh, i afërt, me epiqendrën, banorët e kaluan natën në ambient të hapur, të frikësuar për të shkuar në shtëpi.

Ndërtesat në qytetin e vjetër, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, pësuan dëmtime. Një minare e xhamisë kishte rënë në sheshin Jemaa al-Fna, në zemër të qytetit të vjetër të Marrakech. Punonjësit e shpëtimit gërmuan nëpër rrënoja. Për herë të parë, që prej fillim-shekullit të 12-të, muret historike të Marakesh jamë dëmtuar.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), ishte lëkundja më e fortë që goditi atë pjesë të kombit të Afrikës Veriore në më shumë se një shekull. Që nga viti 2004, Maroku nuk ka parë një fatkeqësi të tillë, kur një tërmet me magnitudë 6.3 goditi qytetin port të Al Hoceima.

Ai tërmet la rreth 630 njerëz të vdekur dhe shkaktoi dëme të mëdha. Tërmeti më i keq i kohëve moderne në Marok ishte në vitin 1960 pranë qytetit perëndimor të Agadirit, i cili vrau të paktën 12,000 njerëz.

Tërmetet e kësaj madhësie në rajon janë të pazakontë, por jo të papritura. Jonathan Steëart, një profesor i inxhinierisë civile dhe mjedisore nga Universiteti i Kalifornisë, thotë për CNN se ndërsa tërmeti ishte 30 herë më i dobët se tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë në fillim të këtij viti, ai ende lëshoi “një sasi të jashtëzakonshme energjie” dhe kishte gjasa të shkaktonte dëme të konsiderueshme.