Ditën e sotme kryeministri grek, Alexis Tsipras mori përgjegjësinë e plotë politike për zjarrin katastrofik që i kushtoi jetën 87 personave në kryeqytetin grek.

“Të vdekurit nuk mund të flasin, por ajo çka mund të bëjmë në kujtim të tyre është që të paktën të themi të vërtetën. Dua të marr përgjegjësinë e plotë politike për tragjedinë përpara kabinetit”, u shpreh Tsipras gjatë mbledhjes së kabinetit të emergjencës.

Deklarata e kryeministrit grek erdhi pas konferencës për shtyp të zëdhënësit të qeverisë, Dimitris Tzanakopoulos, ministrit të Mbrojtjes Civile, Nikos Toskas dhe krerëve të zjarrfikëses dhe policisë mbrëmjen e së enjtes. Ata ia atribuan tragjedinë zjarrvënësve dhe kushteve ekstreme të motit, duke shmangur në këtë mënyrë përgjegjësinë.

Gjatë konferencës për shtyp, ministri Toskas pretendoi se nuk kishte “gabime të mëdha operacionale” dhe se nuk kishte kohë për të evakuuar njerëzit sepse flakët u përhapën shumë shpejt.

Ndërsa Tsipras iu bëri thirrje kritikëve që të mos targetojnë zjarrfikësit, rojet bregdetare dhe policët e përfshirë në operacionin kolosal për fikjen e zjarrit, pasi ata mundën të shpëtonin qindra jetë. Ai gjithashtu u zotua se qeveria do të krijojë një plan për të korrigjuar shkeljet që janë kryer në ndërtim përgjatë dekadave të shkuara.