Sa vjen edhe bëhen më tragjike përmasat e tragjedisë që ka goditur familjen Lala në zonën e ish-Kënetës në Durrës.
Në orët e fundit janë zbuluar edhe 4 persona të tjerë të pajetë nga gërmadhat e banesës së kësaj familje. Trupat mendohet se janë të fëmijëve të mitur të kësaj familje dhe të nënës së tyre Marjeta Lala.
Viktima kanë mbetur tre fëmijë, dy prej të cilëve binjakë të quajtur Dionisi dhe Dionisa, djali Emilio 6 vjeç dhe nëna Marjeta 31 vjeçe. Ata u gjetën të përqafuar me njëri – tjetrin.
Në këtë operacion kanë marrë pjesë forca speciale nga vende të ndryshme. Për të nxjerrë trupat e pajetë nga rrënojat, kanë punuar forcat greke dhe të tjera të huaja, që erdhën të ndihmojnë Shqipërinë në këto momente të vështira.
Vijon të rritet bilanci i viktimave të tërmetit katastrofik, që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter, duke e çuar në 46 numrin e tragjedisë, 45 të shpëtuar dhe 750 të lënduar.





