Erjon Toro, babai i dy vajzave të vogla, është shqiptari që humbi jetën në tërmetin që goditi komunën Amatrice ku ai jetonte prej 15 vitesh në Itali.
Por drama e kësaj familjeje është edhe më madhe, pasi bashkëshortja e Erjonit ka humbur të dyja këmbët. Lajmi tronditës është konfirmuar nga familjarët në Fier, të cilët kanë hapur dyert e mortit.
Ata thanë se bashkëshortja e Erjonit është dëmtuar pasi i ka rënë në këmbë pllaka e betonit. Edhe vajza e madhe ka dëmtuar krahun, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Familjarët e Erjonit i bëjnë apel qeverisë shqiptare që “Të ndërhyjnë që trupi i Erjonit të vijë sa më shpejt e të prehet në tokën shqiptare”.
Erjoni ishte djali i vetëm i familjes, me 4 motra, dhe kishte ikur në Itali për një jetë më të mirë si pjesa më e madhe e refugjatëve shqiptarë.





