Një minë e vjetër tokësore e gjetur nga fëmijët në Afganistanin lindor shpërtheu teksa ata po luanin me të, duke vrarë nëntë prej tyre.
Një zëdhënës i talebanëve tha sot se mina, të cilën fëmijët e gjetën pranë fshatit të tyre në rrethin Gero në provincën Ghazni, ishte e dekadave më parë.
Ai tha se shpërthimi i së dielës vrau pesë djem dhe katër vajza të moshës 5 deri në 10 vjeç.
Afganistani ka vuajtur nga dekada lufte dhe mbetet shumë i rrezikshëm për fëmijët që mbledhin hekurishte për t’i shitur për të mbajtur familjet e tyre.
Shumë prej tyre vriten ose gjymtohen kur hasin në mjete të pashpërthyera.