Një ngjarje tragjike është regjistruar në Cagliari të Italisë, ku një 52-vjeçar ka tentuar të vrasë pronaren e një shkolle vallëzimi pasi kjo i kishte refuzuar regjistrimin në një kurs flamengo. Pasi qëlloi me armë në drejtim të saj, burri kreu vetëvrasje.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga autoritetet italiane, 52-vjeçari kishte kërkuar prej disa ditësh të regjistrohej në kursin e vallëzimit, por kërkesa e tij ishte refuzuar. Mëngjesin e së shtunës, pasi mori sërish një përgjigje negative, ai u kthye në shkollën e vallëzimit i armatosur me një pushkë gjahu kalibri 12, të cilën e posedonte me leje.

Ai hapi zjarr në drejtim të pronares së shkollës, por plumbi nuk e goditi. Gruaja arriti të futej me shpejtësi brenda godinës së bashku me një dëshmitare, duke shpëtuar pa lëndime.

Menjëherë pas tentativës për vrasje, 52-vjeçari e drejtoi armën nga vetja dhe qëlloi për vdekje.

Policia dhe ekipet e ndihmës së shpejtë mbërritën menjëherë në vendngjarje, por për autorin nuk mund të bëhej më asgjë.