Frantisek Rajtoral, futbollisti i përfaqësueses çeke, ka vrarë sot veten në Turqi, ku luante për skuadrën e Gaziantepspor. Sipas informacioneve të para nga Turqia, lojtari është gjetur i varur në shtëpinë e tij.
Konfirmimi erdhi edhe nga drejtori teknik i klubit, Bylent Ujgyn, i cili deklaroi për mediat turke se ngjarja kishte ndodhur në shtëpinë e futbollistit në Gaziantep. “Të gjithë në klub po qajnë, ai vrau veten duke u varur në dhomë”, ishin fjalët e tij.
Policia bëri të ditur se Rajtoral, 32 vjeçar, u gjet i varur në sistemin e ngrohjes së shtëpisë së tij. Mesfushori që u bë i famshëm me fanellën e Viktoria Plzen dhe kishte luajtur 14 ndeshje me Kombëtaren e Republikës Çeke, kaloi te Gaziantepsor në fillim të këtij sezoni por nuk po aktivizohej rregullisht me klubin.
Nuk dihet ende arsyeja që shtyu futbollistin të ndërmerrte këtë vendim për t’i dhënë fund jetës në mënyrë tragjike.