Këto ditë ata po e demonstrojnë këtë në mënyrë shumë provokuese, haptas dhe arrogante, madje e prezantojnë përpara bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ajo për Tanjug
Shqiptarët në rajon në mënyrë provokuese, kanë treguar se vazhdon të mbetet gjallë ideja e Shqipërisë së Madhe, ka deklaruar deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkovic, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Ata e kanë bërë një gjë të tillë në mënyrë shumë provokuese, publike dhe arrogante. Një zonë e tërë, përfshirë jugun e Serbisë, pjesë të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës, ka qenë e mbuluar me flamuj kuqezinj”, ka thënë Trajkoviq për mediat serbe.
Ajo ka thënë se, po të ishte politikane në Beograd, do të bënte përpjekje që me Malin e Zi, Maqedoninë dhe me njerëz të caktuar në Kosovë të niste punën rreth një platforme të përbashkët, “në kundërshtim të projektit gjithëshqiptar”.
Sipas saj, një gjë e tillë është e mundur duke u bazuar në idenë se “ne jemi evropianë”.
Trajkovic ka thënë se ndarja e Kosovës “me siguri se do të çonte në krijimin e Shqipërisë së Madhe” dhe në atë rast “Serbia do të kufizohej me një shtet fundamentalist”.