Çezare Bexhi, trajneri i ri i Teutës ka udhëtuar drejt Italisë për t’u rikthyer sot, së bashku me përgatitësin atletik, i cili do të plotësojë stafin teknik. Seanca e djeshme është drejtuar nga Fezgo e Doraci, si dhe shefi i klubit Salillari. Me ekipin pritet të bashkohet dhe i riu Faizal, i cili është i grumbulluar nga Kombëtarja e Mozambikut.Por me skuadrën mund të bashkohen dhe tre lojtarë të tjerë, pasi drejtuesit po shikojnë hapësirat që u lë merkatoja për të plotësuar grupin. Burime pranë klubit bëjnë me dije se po bisedohet me 6 lojtarë, vetëm tre prej tyre do t’i bashkohen Teutës. Pritet një mbrojtës, që do të bëhet afrimi i tretë në këtë repart, pas Borshit dhe Rashicës.Përforcimi tjetër pritet në mesfushë, ku largimi i Lenës dhe Hysenit ka lënë hapësira edhe pse është afruar Tarik, ndërsa Bruno Dita vijon fazën e rikuperimit dhe vetëm në tetor do t’i bashkohet ekipit. Sulmi mund të ketë një emër “big”, pas afrimit të sulmuesit të Kombëtares së Mozambikut.Pritet një sulmues “pykë” për të plotësuar grupin, si dhe për të formuar një ekip, i cili do të ketë pretendime në sezonin e ri. Presidenti Hasanbelliu, por dhe zëvendëspresidenti Bardhi, gjatë prezantimit të trajnerit u shprehën se kanë një projekt, i cili do të jetë fitues. Me afrimin e trajnerit Bexhi, si dhe lojtarëve të tjerë, ky projekt pritet të marrë formë të plotë.