Në prag të ndeshjes me Vllazninë trajneri i Teutës Bledi Shkëmbi deklaroi se pavarësisht tre mungesave në formacion Teuta do të hyjë në fushë për të marrë tre pikët dhe për të treguar se ekipi durrsak e meriton dhe duhet ët jetë më lart në renditje:
“Na ka shërbyer pauza e kampionatit për të punuar mirë dhe për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen kundër Vllaznisë. Në ndeshjen e kupës kundër Luzit bëmë një ndeshje të mirë edhe pse nuk fituam por e shfrytëzuam këtë ndeshje për të parë gjendjen e skuadrës. Kundër Vllaznisë do të jetë një ndeshje e vështirë sepse janë një ekip cilësor që të hap probleme por ne do të bëjmë më të mirën. Skuadra nuk është nën presionin e tre pikëve dhe nëse çdo lojtar zbaton detyrat gjithçka do të shkojë mirë. Skuadra jonë me lojtarët që ka meriton dhe do të jetë më lart. Nëse do të bëjmë mirë dhe të kemi pak fat do t’ja dalim. Kemi disa mungesa si Qaqi, Jazxhi dhe Çyrbja por pavarësisht këtyre mungesave ne duhet të tregojmë forcën e ekipit.
” Ndërsa sulmuesi kryesor i durrsakëve Lorenco Vila deklaroi se atmosfera në skuadër është mjaft e mirë dhe i gjithë ekipi janë gati për të zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë kundër shkodraneve: “Atmosfera në skuadër është mjaft e mirë dhe jemi përgatitur për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe do të hyjmë në fushë për të marrë tre pikët e para. Në dy ndeshjet e fundit kemi zhvilluar lojëra të mira por nuk kemi patur rezultat ndaj shpesojmë që do të fitojmë ndaj Vllaznisë dhe kemi besim për këtë.”