3 nëntor 2013- Xhani De Biazi i ka shkruar një letër babait të Adnan Januzajt të hënën, duke i kërkuar atij brenda mundësive një takim. Tekniku italian, nëpërmjet një deklarate që ka postuar dje në “Facebook”, ka sqaruar se mesazhin ia ka shkruar në shqip, në anglisht dhe në frëngjisht. Abedin Januzaj nuk i ka kthyer përgjigje, kështu që dy ditë më pas De Biazi është përpjekur të kontaktojë sërish me babanë e futbollistit të Mançester Junajtid, por ky i fundit nuk i është përgjigjur. Përveç kësaj, italiani vlerëson maksimalisht përpjekjet e zv/kryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili jo më larg se mbrëmja e së premtes deklaroi në TV Klan se kishte nisur “ofensivën” për ta bindur talentin shqiptar që të vishet kuqezi.
Mesazhi

“Lexoj me kënaqësi lajmin e letrës që zv/ kryeministri i Kosovës i ka dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të bërë të mundur afrimin e Adnan Januzajt në Shqipëri dhe për ta veshur atë kuqezi. Por pikërisht të hënën që sapo kaloi unë i shkrova një mesazh babait të futbollistit në shqip, në anglisht dhe në frëngjisht. I kërkova me xhentilesë nëse kishte mundësi që ta takoja (babanë) dhe të diskutonim më pas së bashku nëse ishte e mundur që Adnani në të ardhmen të vishte fanellën e vendit të tij të origjinës. Të mërkurën provova t’i telefonoja, por nuk pata asnjë sukses, sepse nuk mora asnjë përgjigje. Edhe sot (të dielën) nuk kam marrë një përgjigje, por shpresoj që të takohemi sa më shpejt. Mendoj se tani duhet të dhe mund të bëhet ky takim, duke qenë se në mes është edhe kryeministri Edi Rama. Çdo sforco e bërë për kombëtaren tonë do të jetë e mirëpritur nga unë dhe nga tifozët që e duan Shqipërinë gjithnjë e më të fortë!”, – ka shkruar dje në “Facebook” De Biazi.

Situata – Xhani De Biazit nuk i ka lënë një shije të mirë heshtja e babait të futbollistit. Megjithatë, ai është i vendosur të takohet me babanë e Januzajt, i shoqëruar ndoshta edhe nga ndonjë delegacion shqiptar, ku të mund të jenë të pranishëm përfaqësues të federatës, ose edhe përfaqësues të qeverisë. De Biazi është i bindur të bëjë gjithçka që ka në dorë, me qëllim që talenti i Mançesterit të mund të vishet kuqezi. Kështu jo vetëm që do të afrohej një lojtar me cilësi të shkëlqyera, por do të rritej edhe imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, pasi do fitonte duelin me Anglinë dhe Belgjikën. Trajnerit të Shqipërisë i ka lënë një shije të keqe indiferenca e babait, por ai e njeh mirë botën e sportit, ndaj dhe nuk është dekurajuar. Ai ka zgjedhur të flasë me babanë e talentit kosovar, me qëllim që gjithçka të jetë brenda rregullave dhe brenda standardeve. Abedin Januzaj pak javë më parë u ankua se nuk kishte pasur asnjë kontakt nga Federata Shqiptare e Futbollit, por tani që është trajneri i Shqipërisë që i kërkon një takim zyrtar, Abedin Januzaj hesht. Gjithsesi, mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. De Biazi e hodhi hapin e parë.

FSHF-ja gënjeu, por s’ia mbyllim derën Shqipërisë”
Abedin Januzaj, babai i Adnanit, në një intervistë për televizionin kosovar “KTV”, para pak kohësh, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë interesimi zyrtar nga ana e FSHF-së.

“Unë deri më tani nuk kam pasur asnjë thirrje nga Federata Shqiptare e Futbollit së paku të bisedojmë. Nuk e njoh zotin Duka, por flas se si FSHF-ja ka reaguar në mënyrë totalisht të paautorizuar dhe joprofesionale. Tani për tani nuk do t’ia mbyll derën krejtësisht ekipit nacional të Shqipërisë, sepse ne jemi shqiptarë, por vetëm njerëzit, të cilët janë profesionalistë dhe punojnë ashtu siç duhet, mund të vijnë të ulen e të bisedojnë me mua. Njerëzit që punojnë në FSHF nuk kanë shanse të negociojnë me Adnan Januzajn. Duhet të vijnë njerëz profesionistë dhe të përgatitur. Kanë provuar edhe përmes Lorik Canës. Unë e respektoj atë lojtar. Ka bërë karrierë të mirë, por ai nuk ka influencë që djali të luajë për Shqipërinë, aspak. Jo ai, por askush”.

“Do të luaj për atë kombëtare që do babai”
Talenti më i kërkuar në Europë, Adnan Januzaj, në intervistën dhënë KTV-së thotë se të ardhmen e tij do e vendosë babai.

“Do të luaj për atë kombëtare që do të më thotë babai. Po, vij në Kosovë për vizitë, pasi kam familjen, të gjithë i kam atje. Babai im është për këto gjëra prapa meje. Po të më thotë babai ‘të luash për këtë kombëtare’, do të luaj. Do e dëgjoj babanë. Kam ardhur këtu me të dhe ai i di të gjitha. Sakaq, synimi im është të bëhem lojtari më i mirë në botë me Mançesterin. Kam dashur shumë të luaja për Mançester Junajtid. Kam fituar rastin dhe kam shënuar dy gola, që është gjë mjaft e mirë për mua, familjen dhe tifozët. Kam ardhur të luaj në Mançester, gjithnjë kam dhënë dhe do të jap maksimumin për t’u bërë lojtari më i mirë në botë. Me Robin Van Persie, Patris Evran, të gjithë lojtarët janë të mirë, kemi marrëdhënie të mira, flasim, diskutojmë dhe ndihem mirë te Mançesteri”, – tha Adnan Januzaj.

Duka: Ja strategjia për 18-vjeçarin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, deklaroi se federata do bëjë të pamundurën për të afruar Adnan Januzajn.

“Ka pasur, ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen një strategji për Adnan Januzajn. Përtej debateve të ditëve të fundit, Januzaj është një talent që është ndjekur nga të gjithë pa përjashtim dhe natyrshëm nuk ka kuptim që t’i shpëtonte vëzhgimit të federatës. Ne po bëjmë punën tonë dhe tani mund t’ju them se po mendojmë që të ndjekim hapat e tjera për të folur me menaxherët e lojtarit, madje duke u paraqitur edhe me anë të një studioje ligjore”, – pat theksuar Duka gjatë konferencës për shtyp ditën e rinovimit të kontratës me De Biazin.

 

http://www.panorama-sport.com/kombetarja/pacolli-leter-rames-per-januzajn-ja-si-ta-veshim-kuqezi/#ixzz2jcbOvw64