Janë drejt përfundimit punimet për rikonstruksionin e pishinës publike “Taq Dafa” në Durrës.

Pishina me përmasa olimpike i është nënshtruar rikonstruksionit prej disa javësh, pasi që nga viti i kaluar ajo shfaqi nevojën urgjente për ndërhyrje.

Trajneri i njohur, Gjergj Ngresi, thotë se investimi me vlerë 10.8 milionë lekë, i financuar nga bashkia Durrës konsiston në punime mjaft cilësore, në përfundim të të cilave, notarët e ekipit të Teutës, por edhe të gjithë adhuruesit e sportit të notit do të kenë në dispozicion një pishinë moderne.

“Mendojmë që brenda dy javësh, pishina do të jetë në funksion. Punimet kanë ecur shumë mirë, ndërsa cilësia është maksimale”,– thotë trajneri Ngresi për “DurrësLajm”.

Pas një viti mungesë, për shkak të mos plotësimit të kushteve të sigurisë, në pishinën publike do të rikthehen këtë vit aktivitetet kombëtare të notit.

“Në fund të gushtit është kampionati kombëtar, do të bëhet këtu tek pishina, me datë 30”,– thotë Ngresi.

Ndërkohë bashkia ka hapur tenderin me vlerë 1 666 667 lekë për blerjen e preparateve për ujin e pishinës, me qëllim krijimin e të gjithë infrastrukturës së nevojshme për mirëfunksionimin e pishinës “Taq Dafa”, sapo të përfundojë rikonstruksioni i saj.

E hapur që në vitin 2015, pishina “Taq Dafa” është vendi ku stërviten shumë notarë të ekipit të Teutës, por edhe fëmijë të vegjël, që duan të mësojnë notin, si dhe qytetarë të ndryshëm.

M.B.