Telenovela vazhdon. Menjëherë pasi Kosova u pranua në FIFA dhe UEFA, ku u përcaktua edhe grupi në të cilën do të marrë pjesë në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”, kanë nisur dilemat dhe dyshimet për shumë lojtarë kosovarë.
Deri tani, futbollistët nga Kosova kanë qenë të detyruar të zgjedhin mes Shqipërisë, Zvicrës apo në raste të veçanta edhe mes përfaqësueseve të tjera.![]()
Çështja e lojtarëve kosovarë që mund të largohen nga Shqipëria ishte shumë e diskutuar gjatë Europianit. Shumë emra lojtarësh janë përfolur se do të lënë përfaqësueset e mëparshme për të luajtur për Kosovën.
Dhe, në një situatë të tillë, është trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, i cili ndez “gjakrat”. Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, ai ka deklaruar se lojtarë kosovarë që janë pjesë e Shqipërisë kanë shprehur dëshirën të luajnë për Kosovën.
Tekniku nuk preferon të përmendë emra, por menjëherë pasi FIFA të kthejë një përgjigje pozitive që i lejon lojtarët, Bunjaki është shumë optimist se numri i futbollistëve nuk do të jetë i pakët.
“Përpara se të bëhet publik ndonjë emër, mendoj se është me rëndësi të respektohet deri në fund. Por, interesimi për të përfaqësuar shtetin e Kosovës ka qenë edhe më parë, pavarësisht faktit që ne nuk ishim të pranuar nga FIFA dhe UEFA”,- thotë Bunjaki gjatë intervistës.





