27korrik 2015 – Maqedonia kërkon të fitojë sa më shumë terren në arenën ndërkombëtare dhe në këtë aspekt, eleminatoret e Botërorit 2018 i konsideron si një mundësi ideale për rritjen e grupit që gjatë viteve të fundit i është nënshtruar ndryshimeve të mëdha. Trajneri i kombëtares së vendit fqinjë, Ljubinko Drulovic beson se kriza e rezultateve në Eleminatoret e Europianit 2016 do të kalohet sepse sipas tij, Maqedonia do të ketë një sjellje të ndryshme në ndeshjet e Grupit G ku bën pjesë edhe Shqipëria.

“U shortuam me rivalë të fortë si Spanja dhe Italia të cilat kanë burime të mëdha teknike dhe financiare. Gjithashtu do të ndeshemi edhe me Shqipërinë, Izraelin dhe Lihtenshtejnin, të cilët janë rivalët tanë të vërtetë. Mund të premtoj se Maqedonia do të luajë më kurajo ndaj cdo kundërshtari. Do të luftojmë për të fituar sa më shumë vende në klasifikim. Kam besim se në të ardhmen do të ecim përpara dhe mund të kërkojmë vendin e katërt në grup, por pse jo edhe të tretin. Uroj që puna të na shpërblehet. Aktualisht mbetemi të përqëndruar te ndeshjet e mbetura eleminatore të europianit”.

Një deklaratë deri diku sfiduese për Shqipërinë pasi trajneri serb beson se kombëtarja që ai drejton mund të ndeshet si e barabartë me Shqipërinë dhe Izraelin.