Në një intervistë të fundit që dha për “Sky Sports”, ish-trajneri i Mançester Junajtid, Luis van Gal, ka kritikuar ashpër strategjinë menaxheriale të Mançester Junajtid. Holandezi 73-vjeçar deklaroi se Junajtid është një klub komercial, jo një klub futbolli. Trajneri legjendar shpjegoi edhe se sa e vështirë është kur trajneri nuk ka autonomi të plotë mbi lojtarët, me të cilët lejohet të nënshkruajë. “Mendoj se më e mira duhet të jetë që trajneri të zgjedh lojtarët. Por, kur lojtarët i blejnë të tjerë persona në klub, atëherë ke problem. Duhet t’i përzgjedhë trajneri, sepse ai duhet t’i stërvisë ata. Gjithmonë duhet të jetë kështu. Per shembull, Arne Slot te Liverpuli është njeriu që i thotë drejtorit të tij teknik se duhet ta blejë këtë apo atë lojtar”, u shpreh tekniku veteran.
Holandezi, që ka drejtuar edhe Ajaksin, Barcelonën e Bajernin, vazhdoi duke folur mbi preferencën e tij për “kohët e vjetra”, kur trajnerët ishin në gjendje të nënshkruanin me këdo, që u nevojitej atyre, pavarësisht profilit që mund të ketë një lojtar sa i takon vlerës komerciale të klubit. I ardhur në stolin e Junajtid më 2014-të, Van Gal u shkarkua si trajner i “Djajve të Kuq” pas një fitoreje në finalen e FA Cup kundër Kristal Palas, në vitin 2016.
Nënshkrimet më të spikatura të Van Gal përfshinin talentin Antony Martial dhe yllin e Real Madridit, Angel di Maria, dy transferime që nuk funksionuan për Mançester Junajtid. Që nga dalja në pension e Sir Aleks Ferguson në vitin 2013, Junajtid nuk i është afruar dot fitimit të një tjetër titulli të Premier League. Klubi nga “Old Trafford”, më afër fitimit të titullit të 21- të ishte nën drejtimin e Zhoze Murinjos në sezonin 2017- 18, kur përfundoi vetëm i dyti, por plot 19 pikë pas kampionëve të Sitit.