Debutoi me Teutën në elitën e futbollit shqiptar 17 vjeç dhe për më tepër mban portën të paprekur. Durrsaku Endri Dema e ka parë të dielën veten në portë në një ndeshje delikate kundër Dinamos. Të jesh titullar me një ekip me emër mund të jetë një synim për çdo lojtar, ndërsa kur e arrin atë që në moshën 17-vjeçare, është përjetim i një ëndrre. Një emocion të tillë ka ndier edhe Dema, 17-vjeçari që është edhe pjesë e Kombëtares U-21. Duket se ka një lloj pjekurie që në këtë moshë. Trajneri i portierëve të Teutës, Bledian Rizvani, tregon gjithçka nga dëmtimi i Qirkos e deri te besimi që kishte te Dema, si dhe pse e zgjodhi para Simon Simonit. Rizvani shprehet se ka besim se Teuta do ta sigurojë biletën europiane.

Çfarë ndodhi me portierin Qirko para ndeshjes me Dinamon dhe si është gjendja e tij?

Panos i ndodhi një dëmtim që çdo portier mund ta pësojë. Ishte në momentin e fundit të stërvitjes në ndeshjen brenda grupit pati një mos koordinim me Dajën edhe u përplasën bashkë. Nga kjo përplasje pësoi një çarje dhe devijim të hundës, një dëmtim që mund ta mbajë pak larg fushave për rreth 10 ditë. Doja të shtoja që jam me fat që stërvis dy portierë si Qirko 22 vjeç, si dhe Dema 17 vjeç. Kam pritshmëri të lartë nga të dy.

A mund të themi se u kapët në befasi në momentin që u vendos se Qirko nuk luante dot?

Jo, nuk u kapëm në befasi sepse i mbajmë gjithmonë gati për lojë të dy portierët. Gjithnjë këmbëngul që portieri i dytë duhet ta llogarisë veten në çdo kohë për lojë sepse të vjen momenti kur asnjëri s’e mendon.

Çfarë i thatë Demës para ndeshjes me Dinamon?

Demën e njoh mirë sepse e kam marrë nga akademia 15 vjeç. Dua të falënderoj edhe trajnerin e portierëve të akademisë, Erdi Dodën, për punën që bën. Demën nuk e ngarkova fare, i thashë që e vetmja gjë është se kam shumë besim tek ai dhe e ndiej që çdo gjë do të shkojë mirë.

Keni besuar shumë te ky djalë. Na tregoni se pse dhe çfarë karakteristikash zotëron “gardiani” 17-vjeçar.

Kam besuar shumë tek ai djalë, sepse ka një karakter të fortë. Kjo është pika më e fortë e një portieri që unë e vlerësoj shumë.

Si është e vërteta që e zgjodhët atë përpara Simon Simonit?

Simonin e vlerësoj shumë. Ka bërë ndeshje shumë të mira edhe besoj se ka një të ardhme të sigurt përpara. Në verë ai u stërvit me trajner Blendi Bahollin, i cili ma ofroi për ta parë. Por i thashë që nuk mund t’i zë vendin një portieri që kam 2 vite që e stërvis. Të dy janë 17 vjeç edhe nuk mund t’i mbaja bashkë. Zgjodha Demën dhe vendosa ta mbaja edhe portier të dytë. Tani që kam parë edhe Simonin, besoj shumë edhe tek ai.

Si e shpjegoni faktin që Teuta pëson shumë gola në krahasim me sezonet e shkuara?

Teuta pëson, nuk di çfarë të them. Më dhemb shumë shpirti kur shoh atë shifër. Shpresoj dhe besoj që në vazhdim ta rregullojmë këtë gjë.

Pas fitores me Dinamon, çfarë pritet nga Teuta kundër Kukësit?

Ndaj Kukësit besoj se do të bëjmë mirë. E vlerësojmë në maksimum Kukësin, është ekip shumë i mirë. Me shpresën te Zoti them se do të dalim me rezultat të mirë nga kjo ndeshje.

A besoni se Teuta do të arrijë tek objektivi Europë?

Ka ende garë, kampionati është i gjatë dhe si ekip po luftojmë në dy fronte për ta arritur këtë synim. Besoj shumë te gjithë ekipi edhe mendoj se do t’i arrijmë objektivat në fund.