Arsenal nuk po kalon një moment aspak të mirë. Mes protestave të tifozëve për largimin e Arsene Wenger dhe eliminimit të turpshëm nga Champions League kundër Bayern Munich, atmosfera në “Emirates Stadium” nuk është aspak pozitive. Për t’i hedhur benzinë zjarrit ka menduar Ian Holloway, trajneri anglez i QPR, i cili ka sulmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Alexis Sanchez, sulmuesin kialin të “Topçinjve”, që të martën e kaluar i ka dhuruar Arjen Robben të dytin nga pesë golat e realizuar nga bavarezët:
“Sanchez është vetëm një derr egoist”, kanë qenë fjalët e forta të Holloway. “Sjellja e tij është shumë negative. Kundër Swansea-s sapo është zëvendësuar ka filluar të ankohet. Sikur të ishte fundi i botës. Nuk është kjo mënyra e duhur për të reaguar, veçanërisht kur në fushë po futet një shok i skuadrës, derr! Edhe kundër Bayern Munich ka pasur të njëjtin qëndrim, po si mund të jesh kaq egoist? Ndoshta, nëse skuadra jote po humbet, është edhe për fajin tënd. Sanchez mund të jetë shumë i kërkuar nga klubet më të mëdha në botë, por në fillim duhet të jetë një lojtar që sakrifikohet për ekipin. Në këto kohë, është e pamundur të menaxhohen lojtarë të tillë”, ka përfunduar Holloway.