DURRES – Trajneri i ri i Teutës, Gugash Magani, ka nisur punë me skuadrën, ndërsa sapo ka zbritur në Durrës ka ndezur kampionatin duke deklaruar për Durreslajm.com se skuadra e tij e re ka shpresa të shpallet kampione. Tekniku ka dhënë përshtypjet e tij të parë në lidhje me skuadrën, ndërsa ka falenderuar stafin drejtues të skuadrës, me në krye presidentin Edmond Hasanbelliu, të cilët kanë besuar tek aftësitë e tij drejtuese. Magani është shfaqur në ambjentet sportive rreth 30 minuta përpara orarit zyrtar, ku ka zhvilluar edhe një takim me stafin drejtues dhe lojtarët, me qëllim prezantimin. Gjatë këtij takimi ishte i pranishëm edhe numri dy i presidencës, Kreshnik Braho.
Magani, cila është përshtypja e parë në aventurën durrsake?
Jam shumë i lumtur që do të drejtoj një skuadër me shumë traditë në futbollin shqiptar, siç është Teuta. Ndihem vërtet shumë i vlerësuar nga stafi dhe presidenti i teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili bëri të mundur që unë të isha pjesë e kësaj skuadre. Me një pjesë të mirë të lojtarëve kemi njohje të vjetra, që nga koha kur luaja futboll. Personalisht e kam pranuar me shumë kënaqësi kërkesën e presidentit Edmond Hasanbelliu, të cilin e falenderoj që ka besim tek aftësitë e mija drejtuese, ndërsa unë nga ana ime do të jap maksimumin për të mos e zhgënjyer.
Cili është objektivi juaj?
Unë sapo kam ardhur në Durrës dhe do vazhdoj punën e paraardhësve të mi. Ndoshta mund të jetë shumë herët për të folur, por duke parë grupin e lojtarëve që do të kem në dispozicion, besoj se Teuta do të shkëlqejë gjatë fazës së dytë. Sigurisht synimet tona janë të qarta, minimalisht të mbajmë vendin e dytë, ndërsa do ta konkurojmë Skënderbeun në luftën për titull deri në fund.
Po flisni për titull, besoni realisht?
Sigurisht, po mos besoja, nuk do isha këtu. Por kjo arrihet me punë. Duhet të punojmë sa më shumë në mënyrë që të kthehemi sa më të fortë. Deri në fund të kampionatit është një rrugë shumë e gjatë dhe e vështirë, ku do të ketë edhe mjaft supriza. Fakti që Skënderbeu është dhjetë pikë përpara nuk do të thotë se gjithçka ka përfunduar dhe është shpallur kampion. Sigurisht, korçarët janë favorit kryesor për të fituar titullin, sepse janë shkëputur mjaft, por besoj ne nuk do të rrimë duke parë që ata të shpallen kampion.